Një 78-vjeçar është dënuar me tetë vjet e tetë muaj burgim pasi tentoi ta vriste bashkëshorten e tij, me të cilën jetonte për më shumë se 33 vjet.
Sipas mediave britanike, Colin Finch e sulmoi gruan e tij me thikë në shtëpinë e tyre në Darlington, në muajin mars të këtij viti.
Gruaja ishte duke fjetur kur u zgjua dhe e pa bashkëshortin duke e goditur me thikë.
Ajo mori pesë plagë nga sulmi.
Pas ngjarjes, Finch qëndroi në vendin e ngjarjes për rreth 30 minuta para se të telefononte shërbimet emergjente, duke u thënë operatorëve se kishte “tentuar ta vriste” bashkëshorten.
Gruaja u dërgua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një operacioni që i shpëtoi jetën.
Ndërkohë, i dyshuari u arrestua në vendngjarje dhe më pas pranoi fajësinë për veprën penale të tentim-vrasjes.
Gjatë seancës gjyqësore, viktima tha se sulmi kishte shkatërruar familjen dhe jetën e saj. “Kur po më godiste me thikë, e vetmja gjë që mendoja ishte: ‘Pse po e bënte këtë?’ Mendoja se më donte.
Nuk e kisha idenë se çfarë do të ndodhte”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se para sulmit po rikuperohej nga një operacion dhe ishte në gjendje të kryente disa aktivitete vetë, por pas ngjarjes është e detyruar të qëndrojë në shtrat dhe ka nevojë për ndihmë të vazhdueshme. “Plagët do të shërohen dhe shenjat do të zbehen, por kujtimi do të mbetet gjithmonë.
Tani duhet të mësoj të jetoj me një zemër të thyer”, tha viktima. 78-vjeçari u dënua nga Gjykata e Kurorës në Teesside me tetë vjet e tetë muaj burgim.
