Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shprehet se nuk është aspak e befasuar me vendimet e ZRrE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, pavarësisht mungesës së dialogut social dhe mungesës së konsultimeve me qytetarët dhe bizneset.
Me anë të një postimi në Facebook, ajo vlerëson se kjo është mënyra si operon LVV – refuzon dialogun, qoftë social, qoftë politik, me këdo dhe për çkado.
“E njëjta arrogancë është parë në vazhdimësi ndaj sindikatave, ndaj mediave, ndaj opozitës dhe ndaj bizneseve. Kjo kastë politike e dëshiron qytetarin të varfëruar dhe të nënshtruar, sepse beson se vetëm ashtu mund ta sundojë më lehtë”, shkroi Çitaku.
Tutje, sipas saj, më ironikja është se LVV “në mënyrë radikale, dhe shpeshherë edhe dhunshëm ka kundërshtuar çdo përpjekje tonën për rritjen e kapaciteteve energjetike të Republikës” dhe se e vetmja politikë që njohin është konsistentë në destruktivitet.
