Federata e Futbollit e Kosovës ka festuar sot 10-vjetorin e pranimit në UEFA dhe FIFA, një datë historike që shënoi fillimin e rrugës së gjatë dhe sfiduese të futbollit kosovar.
Aktivitetet për këtë rast u organizuan në Kampin Nacional në Hajvali, me pjesëmarrjen e ekipeve nga Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Ambasada Amerikane në Kosovë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, për të theksuar unitetin dhe mbështetjen për sportin dhe shtetin.
Festimet filluan me ndeshjen e Kombëtares së Amputuarve në futboll, që transmetoi një mesazh të fortë për vullnetin dhe dashurinë për lojën.
Gjatë ditës u mbajt edhe festivali “Grassroots”, me fëmijë nga shtatë regjione të Kosovës që sollën entuziazëm dhe shpresë për të ardhmen e futbollit në vend.
Aktivitetet festive do të përfundojnë me ndeshjen ndërmjet veteranëve të Kosovës dhe Shqipërisë, për të nderuar këtë ditë të rëndësishme për futbollin kosovar.