Aktori amerikan James Handy, i njohur për rolet e tij në prodhime të njohura si ‘Top Gun: Maverick’, ‘Jumanji’ dhe ‘Logan’, është gjetur i vdekur në banesën e tij në Los Angeles në rrethana të rënda.
Sipas mediave ndërkombëtare, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një sulmi me thikë, ku i dyshuari kryesor është djali i partneres së aktorit.
Departamenti i Policisë së Los Angeles ka konfirmuar se 81-vjeçari u gjet në oborrin e përparmë të shtëpisë së tij në zonën Tarzana, Kaliforni, rreth orës 09:30 të mëngjesit të së mërkurës.
Ai është gjetur pa shenja jete dhe me disa plagë me thikë në kraharor.
Autoritetet kanë arrestuar 44-vjeçarin Michael Gledhill, djalin e partneres së viktimës, i cili është akuzuar për vrasje dhe ndaj të cilit është vendosur një garanci prej 2 milionë dollarësh.
Sipas raportimeve, i dyshuari ka bërë një telefonatë në numrin e emergjencës 911, ku ka deklaruar: ‘Unë jam biri i atij burrit, sapo vrava njeriun e mëkatit.’ Më pas, kur policia ka mbërritur në vendngjarje, ai është dorëzuar duke pranuar se ishte personi që kërkonin.
Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari jetonte në të njëjtën banesë me nënën e tij, e cila ishte në një marrëdhënie me aktorin e ndjerë.
James Handy kishte një karrierë të gjatë në televizion dhe film që prej vitit 1977, kur debutoi në serialin ‘Ryan’s Hope’.
Gjatë dekadave ai u shfaq në projekte të njohura si ‘Law & Order’, ‘NCIS: Los Angeles’ dhe ‘Criminal Minds’, ndërsa filmi i tij i fundit ishte ‘Top Gun: Maverick’ në vitin 2022.
