Al-Ittihad po përpiqet t’ia rrëmbejë Trabzonsporit transferimin e Mohamed Salahut, raporton gazetari egjiptian Ismael Mahmoud i WinWin.
Sipas raportimit, klubi nga Arabia Saudite po punon për të siguruar fondet e nevojshme, me synimin që në orët ose ditët në vijim t’i paraqesë një ofertë konkurruese ish-sulmuesit të Liverpoolit.
Qëllimi i Al-Ittihadit është të pengojë finalizimin e marrëveshjes mes Salahut dhe Trabzonsporit, duke e bindur reprezentuesin egjiptian që ta vazhdojë karrierën në Ligën Profesionale Saudite.
Raportimet e fundit nga Turqia kanë bërë të ditur se Trabzonspori ka arritur marrëveshje me 34-vjeçarin për një kontratë dyvjeçare, ndërsa palët janë duke diskutuar vetëm detajet financiare të marrëveshjes.
Megjithatë, e ardhmja e Salahut ende nuk konsiderohet e vendosur, pasi Al-Ittihadi vazhdon përpjekjet për ta ndryshuar rrjedhën e negociatave me një ofertë të minutave të fundit.
Interesimi i klubit saudit për Salahun nuk është i ri.
Në vitin 2023, Al-Ittihadi kishte bërë një ofertë që arrinte deri në 150 milionë funte për ta transferuar nga Liverpooli, por ajo ishte refuzuar nga klubi anglez.
