Arsenali është në bisedime me Al-Hilalin për transferimin e Gabriel Martinellit, me brazilianin që mund të largohet nga “Topçinjtë” në ditët e fundit të afatit kalimtar.
Sipas raportimeve të fundit, klubi saudit e ka bërë 25-vjeçarin një nga objektivat kryesorë të afatit kalimtar.
David Ornstein ka raportuar se Arsenali vlerëson Martinellin rreth 70 milionë euro, ndërsa lojtari është i hapur për një transferim në Arabinë Saudite.
Një largim për një shumë të tillë do t’i siguronte Arsenalit shitjen më të shtrenjtë në historinë e klubit.
Rekordi aktual mbahet nga Alex Oxlade-Chamberlain, i cili në vitin 2017 u transferua te Liverpooli për rreth 38 milionë euro.
Martinelli është pjesë e Arsenalit që nga viti 2019, kur iu bashkua klubit nga Ituano.
Braziliani më herët kishte refuzuar një transferim te Galatasaray, ndërsa tani situata duket ndryshe dhe ai është i gatshëm të shqyrtojë mundësinë e kalimit te Al-Hilali.
Nëse marrëveshja arrihet afër vlerësimit të vendosur nga Arsenali, Martinelli do të bëhet shitja rekord e klubit, duke thyer një rekord që ka qëndruar në fuqi që nga viti 2017.
