Kandidati i PDK-së për deputet, Artan Behrami ka reaguar pas paralajmërimeve për krijimin e xhandarmërisë, duke thënë se frika e institucionalizuar është diktaturë.
Përmes një postimi në Facebook, Behrami iu drejtua pushtetit duke i thënë se frikën nga hija juaj nuk ua heq as xhandarmëria, e as ndonjë ilaç. “Xhandarmëria e Sfeqles është një mekanizëm i përhapjes së frikës.
Prej që kanë okupuar institucionet, e kanë udhëhequr Kosovën përmes përhapjes së frikës dhe joshjes.
Injektimi i frikës në shoqëri gjithmonë ka qenë një instrument përcaktues politik i të gjithë diktatorëve dhe autokratëve.
Përhapja e frikës shndërrohet në armë për të suspenduar demokracinë, logjikën dhe mendimin racional”. “Frika e institucionalizuar është diktaturë.
Por, këto modele të së kaluarës nuk mund të etablohen në trupin e ri të shtetit të Kosovës.
Frikën nga hija juaj nuk ua heq as xhandarmëria, as policia, as ndonjë ilaç.
Hijën tashmë e keni në opozitë.
Më 7 qershor u vjen pas edhe trupi!
Në atë ditë, Kosova do të çlirohet jo vetëm nga frika, por edhe nga periudha më e errët e historisë së post-pavarësisë”, ka shkruar Behrami.
