Site icon Lajmeria

Bekë Berisha thotë se Nisma publikisht ka kalu në Vetëvendosje, Agim Bahtiri s’flet për seancën e nesërme, veç “kalofshi mirë”

Konstituimi i Kuvendit dështoi dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Anipse pritej që seanca konstituive të zhvillohej siç duhet të martën që lamë pas- në fakt partitë politike si PDK, LDK dhe AAK nuk pranuan që të bëjnë shkelje procedurale e të bien në kundërshtim me Kushtetutën duke votuar raportin e komisionit për mandate dhe kourum. Kjo sipas tyre si shkak që Albin Kurti nuk dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe ministrat e tij po ashtu.

Por pas kësaj, në Kuvend u shfaq një dokument ku fliste për dorëheqjen e Kurtite  që sipas tij dorëheqja ishte bërë menjëherë pas certifikimit të rezultateve- ani pse dalja në zyrat e Qeverisë vazhdon të jetë e njëjtë. Nga PDK, LDK, AAK kanë thënë se as Kurti as ministrat nuk duhet të jenë në pozita drejtuese e të kërkojnë të betohen si deputet.

Ngjashëm situata ishte edhe dje. Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari zgjodhi që t’i thërras në konsultim përfaqësuesit e partive politike por përpos liderit të VV-së Albin Kurti dhe kryetarit të Nismas Fatmir Limaj, e përfaqësuesit nga Lista Guxo- të tjerët vetëm shkuan dhe ia bën të ditur Deharit se po shkel rregulloren dhe se s’ka të drejtë të thërras konsultime të tilla.

Pas kësaj, Dehari njoftoi se në sallë janë 100 deputetë dhe se seanca po ndëpritet. Anipse numri ishte i mjaftueshëm ku duhen 51 vota, seanca u ndërpre e pritet të vazhdojë nesër në ora 12:00.

Të shtunën e 19 prillit do të jetë tendenca e tretë me radhë që Kuvendi i Kosovës të konstituohet e më pas të vazhdohet me procedurat e tjera deri edhe tek formimi i qeverisë.

Në lidhje me situatën e krijuar dhe me atë se a do të arrihet nesër konstituimi i Kuvendit, lajmi.net ka kontaktuar deputetin nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha, i cili në një prononcim të shkurtër është shprehur se beson se konstituimi i Kuvendit të Kosovës do të bëhet në mbledhjen e radhës.

Berisha tha se partneri i tyre parazgjedhor (Nisma) edhe publikisht ka zgjedhur të bashkëpunojë me LVV, kurse shton se çështja mbetet se sa do t’i plotësojë Kurti “dëshirat” e minoriteteve me pozitat që do t’ua ofrojë.

“Po besoj që do të konstituohet Kuvendi. Nisma veç është dalë publikisht se ka kalu me Vetëvendosjen. Numrat varen nëse ua ka plotësu ato dëshirat komuniteteve”, tha shkurtimisht Bekë Berisha.

Berisha ngjashëm ishte deklaruar edhe ditë më parë kur tha se në fakt ndoshta Nisma i theu në besë.

“Unë koalicionin me Nismën kam besu se do të jetë i frytshëm e kam besu në fjalët që do të bëjmë një qeverisje të opozitës për të kthyer për së mbari Kosovën, kam besu fuqishëm. Ndoshta është thyer besa, por të shohim”, deklaroi Bekë Berisha.

Ndërkohë lajmi.net ka kontaktuar edhe me deputetin e Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, por i njëjti refuzoi të përgjigjet.

Derisa fillimisht u lajmërua- deputeti i Vetëvendosjes pasi dëgjoi pyetje vendosi që mos të flasë për temën.

Ai u përkujdes që shkurtimisht të thotë “Kaloni mirë”.

Seanca e re e Kuvendit pritet të zhvillohet ditën e shtunë me fillim nga ora 12:00 dhe rrjedhimisht kjo do të jetë edhe përpjekja e tretë me radhë për t’i dhënë zgjidhje konstitumit të Kuvendit.

Në rast se situata vazhdon njësoj edhe nesër- vendi me shumë gjasë do të futet me një ngërç institucional e politik.

Sipas partive PDK,LDK dhe AAK në fakt Kurti dhe Vetëvendosje s’i kanë siguruar numrat dhe kjo është arsyeja pse po tentojnë t’i bllokojnë institucionet.

Kujtojmë se aleatët e Kosovës, Britania e Madhe dhe Gjermania u kanë bërë thirrje partive politike për bashkëpunim për të formuar institucionet e vendit sa më parë.

Exit mobile version