Emin Daka është bashkëshorti i të ndjerës Ajnishahe Halimi, e cila e kishte humbur betejën me kancerin në vitin 2019.
Halimi kishte qenë një prej aktivisteve më të zëshme të Lëvizjes Vetëvendosje në periudhën e pasluftës në Skënderaj, ku mbajti për një kohë edhe pozitën e kryetares së partisë në këtë komunë, ku edhe kishte qenë kandidate për kryetare, derisa ishte përjashtuar nga partia.
E bashkëshorti i saj, Daka, ka shprehur indinjatën e tij të thellë me kryetarin aktual të LVV-së, njëherësh kryeministrin Albin Kurti, në lidhje me fjalimet e tij në këtë fushatë zgjedhore.
Ai ka përmendur një rast konkret kur Kurti flet për shefen e GP të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, dhe sëmundjen e saj me kancer, ku thotë se “disa bub-rreca” po e sulmojnë atë.
Daka e quan Kurtin “skizofren”, teksa e kritikon atë për sjelljen që pati me gruan e tij, e cila po ashtu ishte e diagnostikuar me kancer.
“Sapo e zura vetëm një gjysmëfjalie të skizofrenit! E kualifikova rëndë, por do ta merrni vesh pse… Në këtë gjysmëfjalie, dëgjova se tha që … një grua të diagnostikuar me kancer (e kishte fjalën për M.K., sepse kamerat e fiksuan atë) e paskan sulmuar disa…, bëri një pushim të shkurtër, për të krijuar efekt dhe tha disa bu-rra!, prapë pushim dhe vazhdoi … disa bu-rreca! … disa bub-rreca!…”.
“Po ti, o skizofren, si ke qenë sjellë me një grua, jo vetëm të diagnostikuar me kancer, po e cila po luftonte për jetë a vdekje me këtë sëmundje, në fazat e fundit të saj, e cila edhe e vrau (pasi e vratë shpirtërisht ju më parë)?!”.
“Një grua e cila pati rënë viktimë e idealizmit të saj dhe besimit naiv në kauzat tua të rreme, duke i menduar si të vërteta”.
“Ia pate ndërsyer zagarët tu, e vetë u skajove duke i larë duart, si Pilati… Hipokrit i ndyrë!!!”, shkruan Daka në një postim në Facebook.
Ai tha se për vdekjen e bashkëshortes së tij, Kurti dhe LVV-ja nuk e thanë asnjë fjalë keqardhjeje, “as sa për adet”,… “edhe pse kontributi i saj ishte pakrahasueshëm më i madh se i kësaj zonjës që i paske dalë krah…”.
Ajnishahe Halimi pat filluar të kritikonte partinë e saj. Ajo akuzonte LVV-në për keqpërdorime financiare.
Për pasojë, ajo bashkë me një grup aktivistësh tjerë të kësaj partie, në vitin 2015 ishin përjashtuar nga partia, e të cilët më pas kishin formuar grupin e quajtur Fraksion Plus.
Pas daljes, ajo pati thënë se Vetëvendosje po i linçon njerëzit. Sipas saj, mendësia e Vetëvendosjes është radikale, ekstremisht e majtë.
“Kjo kryesi ka filluar me linçime te anëtareve të caktuar, me përjashtime të koordinatoreve, me mbylljen e disa qendrave te Vetëvendosjes”, pati thënë ajo në një emision televiziv.
Në ndërkohë, grupi ishte bashkuar me PDK-në.
Ajnishahe Halimi njihej për guximin e saj para luftës, dhe këtë e kishte dëshmuar ku bashkë me aktivistë të tjerë, kishte bërë përpjekje që trupat e të vrarëve në masakrën e Prekazit të varroseshin në mënyrë të dinjitetshme.
Ajo ka qenë dëshmitare e dorës së parë të një prej sulmeve të para ndaj familjes Jashari, më 22 janar të vitit 1998.
Pas luftës, Halimi për një kohë ka qenë edhe cicerone e Kompleksit të Jasharëve në Prekaz. Ajo e kishte përkufizuar familjen Jashari si “Përmasa Mitike e Flijimit, Shembulli Mbinjerëzor i Mbijetesës”