Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, në debatin e nënkryetarëve, i është drejtuar Glauk Konjufcës, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mbrojtje të Martin Berishajt.
Ismaili e quajti Berishajn ‘sekser të energjisë elektrike me Serbinë’, duke thënë se ai ka përfituar para nga GEN-I e Serbisë dhe ka tërhequr qindra mijëra euro nga bankat e Kosovës. ‘Martin Berishaj është sekser i energjisë elektrike.
Albin Kurti e ka mik, e mbështet dhe e mbron.
Ai ka përfituar para nga GEN-I e Serbisë, ka tërhequr qindra mijëra euro dhe është sjellë me pasaportë diplomatike, titull që ia ka dhënë qeveria e Vetëvendosjes’, tha Ismaili.
Sipas tij, Berishaj ‘është ende i lirë dhe ende ambasador’, ndërsa shtoi se pushteti aktual e ka mbrojtur atë edhe pas dyshimeve për përfitime në kohën kur qytetarët përballeshin me fatura të larta të energjisë. ‘Një njeri që ka tregtuar dhe ka përfituar në kohën e faturave të mëdha, ka tërhequr nga bankat e Kosovës qindra mijëra euro që nuk dihet ku kanë shkuar, dhe ju keni dalë e keni mbrojtur’, u shpreh Ismaili.
