Prokuroria Themelore në Prishtinë ka publikuar detajet e rastit të ndalimit për 48 orë një person nën dyshimet për veprën penale ‘Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’.
Rasti ka të bëjë me procesin zgjedhor të së dielës në fshatin Uglarë, ku u zbulua një aktivitet i dyshuar lidhur me votimin për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.
Në lokalin e të dyshuarit janë gjetur fletëvotime me hijëzim të subjektit politik ‘Lista Serbe 119’ dhe lista me identitetin e votuesve.
Dyshohet se ai ka premtuar përfitime sociale në këmbim të votave.
I dyshuari është nën masa të ndalimit për 48 orë.
