Nga një pasion i nisur disa vite më parë, te miliona dëgjime në Spotify: Endi LRC po ngjit me shpejtësi shkallët e muzikës dhe synimi i tij është tashmë ndërkombëtar.
Një emër që po kërkon vendin e tij në skenën muzikore dhe që tashmë ka një arsye të fortë për të tërhequr vëmendjen është Endi LRC.
Artisti i ri po veçohet për stilin e tij modern dhe mënyrën origjinale të kombinimit të shqipes me gjermanishten, duke sjellë një tingull që lidhet natyrshëm me një audiencë të re dhe gjithnjë e më ndërkombëtare.
Rrugëtimi i Endit në muzikë nisi si një pasion, por sot është kthyer në një ambicie serioze për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme.
Me 8 këngë të publikuara deri tani, artisti ka arritur të kapë shifra që shumë emra të rinj do t’i dëshironin.
Dy prej projekteve të tij kanë kaluar miliona dëgjime, duke i dhënë një shtysë të madhe rrugëtimit të tij dhe duke dëshmuar se muzika e Endit po gjen gjithnjë e më shumë dëgjues.
E nëse flasim për shifra, ato janë vërtet mbresëlënëse. “Un ja fali”, në bashkëpunim me Ilias LRC, ka kaluar plot 3.6 milionë dëgjime në Spotify, ndërsa “Sie will Liebe” ka regjistruar mbi 2.8 milionë dëgjime.
Dy projekte që e kanë vendosur emrin Endi LRC përballë një audience të gjerë dhe që tregojnë potencialin e tij për të bërë hapa edhe më të mëdhenj në të ardhmen.
Por duket se këto janë vetëm fillimi.
Endi LRC ka plane të qarta për karrierën e tij: të zhvillohet vazhdimisht si artist, të sjellë projekte të reja dhe të synojë një nivel ndërkombëtar.
Ai nuk e përjashton as mundësinë e bashkëpunimeve me artistë të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke kërkuar emra me stil dhe energji të veçantë.
Me një identitet që bashkon dy gjuhë, miliona dëgjime dhe një ambicie të madhe, Endi LRC po jep sinjalet e para se emri i tij mund të dëgjohet shumë më larg se kufijtë shqiptarë.
