Gjatë ditës së martë, Kosova u përball me erëra të forta, ndërsa në Prishtinë pati edhe pasoja materiale si dëmtime kulmesh, rrëzim drunjsh dhe dëmtime në shtylla ndriçimi.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica, ka folur për intervenimet që janë realizuar nga ekipet emergjente gjatë ditës së djeshme.
Fushtica në një intervistë për Ekonomia Online tha se institucionet kanë reaguar menjëherë pas raportimeve për dëmet e shkaktuara nga erërat e forta në kryeqytet. “Po, dje ashtu siç është edhe paralajmëruar kemi pasur erëra të forta, po flasim për kryeqytetin, me intensitet mesatar por të cilat kanë shkaktuar, të them, dëme në kryeqytet.
Gjatë orëve të pasdites, pra nga ora, të them, 12 e tutje deri në orën 19, kemi pasur afër 17 intervenime në kryeqytet, të cilat intervenime janë kryer të gjitha me sukses nga ekipet e Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve, Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Policisë së Kryeqytetit dhe kompanive, ndërmarrjeve publike të kryeqytetit dhe kompanive që janë të angazhuara për intervenime emergjente”. “ Këtu kryesisht kemi pasur raste në të gjitha pjesët e kryeqytetit: në rrugën “Qmil Hoxha” siç ndoshta e keni parë kemi pasur një dru i cili është rrëzuar si pasojë e erërave; në Dardani kemi pasur dëmtim të kulmit; në Bregun e Diellit kemi pasur dëmtim të kulmeve, të llamarinave, reklamave; disa intervenime kemi pasur edhe në disa shtylla të ndriçimit dhe shtylla elektrike të cilat janë, të them, janë dëmtuar gjatë kësaj kohe.
Për fat të mirë nuk kemi pasur të lënduar në njerëz.
Dëmet materiale nuk janë shumë të mëdha, por janë të konsiderueshme dhe në ditët në vijim ekipet përkatëse do të bëjnë vlerësimin e dëmeve që janë shkaktuar, por prapë mund të them që nuk janë të konsiderueshme, janë dëme të vogla të cilat do të sanohen shumë shpejt”, tha ai.
