Sulmuesi shqiptar Ernest Muçi ka qenë sërish vendimtar për Trabzonsporin, duke e çuar skuadrën e tij në finalen e Kupës së Turqisë pas një fitoreje dramatike 2–1 ndaj Gençlerbirligi.
Ndeshja e zhvilluar sot u vendos në minutat shtesë, kur Muçi shënoi golin e fitores në minutën e 92-të, duke i dhënë fund një përballjeje të luftuar deri në sekondat e fundit.
Me këtë gol, Trabzonspor siguroi kualifikimin në finalen e kompeticionit, ku do të përballet me Konyaspor më 22 maj.
Sulmuesi 25-vjeçar, i cili e kompletoi gjithë takimin, po kalon një formë shumë të mirë këtë sezon.
Vetëm pak ditë më parë, ai kishte gjetur rrugën e rrjetës edhe në ndeshjen ndaj Besiktas, duke konfirmuar formën e tij të qëndrueshme në momentet vendimtare.
Në total, Muçi ka arritur në kuotën e 15 golave dhe 9 asistimeve në 40 paraqitje këtë edicion, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Trabzonsporit në garat vendore dhe ato të kupës.
