Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Fahrije Hoti ka folur për fillimet e ndërmarrjes “Krusha” dhe rrugëtimin e grave të Krushës pas luftës në Kosovë.
Në emisionin “Kosova Today”, Hoti ka treguar se si gratë e Krushës, në ditët më të rënda të pasluftës, janë mbledhur dhe kanë diskutuar për përjetimet e tyre në një ambient fetar, duke përfshirë edhe një xhami në fshat.
Sipas saj, ato takime kanë qenë një mënyrë për të përballuar dhimbjen dhe për të gjetur forcë për të ecur përpara. ‘Na të gjitha gratë kemi punuar veç me një dorë, fëmijët i kemi pasur të vegjël, sepse dora e djathtë ka qenë burri që e ndihmon gruan për ekonominë e familjes dhe rritjen e fëmijëve.
Ky ka qenë një rrugëtim i vështirë, por megjithatë kur vjen në një pikë bëhesh simbol i punës. Është krenari jo vetëm për Fahrijen, por për të gjitha ato gra që në kohën më të vështirë jemi bërë bashkë.
Kjo na ka ndihmuar me ec përpara, përndryshe ndoshta kishim përfundu edhe më keq.
Ky ka qenë qëllimi im personal kur kemi ndejt deri në orët e vona.
Ne kemi ndejt deri në orët e vona dhe kemi diskutuar se si ka ndodhur kidnapimi i djemve, si ka ndodhur maltretimi ynë me orë të tëra në xhami, si ka ndodhur pjesa tjetër kur është vrarë një 16-vjeçar në sy të nënës së tij, dhe gjithmonë diskutonim këto.
Dhe në një moment ka ardh kur kam thënë: unë s’mundem më, kam qenë 29 vjeçe dhe dua me pa një të ardhme për veten, për fëmijët e mi, për gratë e Krushës dhe për Krushën’, tha ajo.
