Site icon Lajmeria

“Forca e ligjit nuk pati peshë” – Haxhiu reagon pas lirimit të serbëve të arrestuar në Prizren

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër pas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prizren se janë liruar të gjithë serbët e arrestuar të dielën.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka shprehur shqetësimin e saj për, siç tha ajo, lehtësinë me të cilën janë liruar personat që sipas saj kishin lidhje të forta me organizatorët dhe pjesëmarrësit e sulmit terrorist në Banjskë.

Sipas saj, në grupin prej 12 serbësh të arrestuar në Prizren, kishte edhe persona aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe.

Ajo ka theksuar se në Prizren, 10 prej tyre janë liruar që atë ditë për shkak se nuk ishte kërkuar paraburgim, ndërsa dy të tjerët janë liruar sot.

“Pra, pavarësisht provave të bollshme për t’i dërguar në paraburgim dhe hetim të mëtutjeshëm. Është vërtetë shqetësuese lehtësia e lirimit të këtyre personave dhe hudhja poshtë e aksioneve policore dhe institucioneve tjera të sigurisë të cilët kapën me fakte e dëshmi këto dy grupe”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka shtuar se janë duke u harxhuar shumë resurse dhe kohë nga institucionet e sigurisë, ndërsa në fund, siç thekson ajo, të arrestuarit lirohen, duke shtuar se nuk di “cila forcë tjetër i ka liruar këta persona sepse siç duket qartë, forca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë”.

Exit mobile version