Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka pranuar një ftesë të veçantë nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe Zonja e Parë Emine Erdoğan, për të marrë pjesë në edicionin e radhës të Forumi Diplomatik i Antalias, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e diplomacisë.
Përmes një reagimi publik, Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për këtë ftesë, duke e cilësuar atë si një dëshmi të vazhdimësisë së marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit të ngushtë mes Kosovës dhe Turqisë. Ajo ka theksuar se përkrahja e Ankarasë zyrtare ka qenë e rëndësishme në momente kyçe për vendin dhe se pjesëmarrja në këtë forum përbën një mundësi të mirë për të thelluar më tej dialogun ndërkombëtar.
“Falënderoj presidentin Erdoğan dhe zonjën e parë Emine Erdoğan për përkrahjen e vazhdueshme dhe ftesën e tyre që sërish sivjet të jemi pjesë e Forumit Diplomatik të Antalias”, ka shkruar Osmani, duke lënë të kuptohet se kjo nuk është hera e parë që ajo merr pjesë në këtë platformë ndërkombëtare.
Forumi Diplomatik i Antalias mbledh çdo vit liderë shtetesh, diplomatë, akademikë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare nga e gjithë bota, duke u kthyer në një hapësirë të rëndësishme diskutimi për çështje globale, siguri, bashkëpunim dhe sfida ndërkombëtare. Ftesa për Osmanin shihet si një sinjal i vazhdimit të raporteve të forta ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si dhe një mundësi për të rritur prezencën dhe zërin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
