Në një mesazh publik, Haradinaj e ka vlerësuar Dodën si një njeri që lirinë e Kosovës nuk e shihte vetëm si ideal, por si një mision të cilit iu përkushtua gjatë gjithë jetës së tij.
Sipas tij, si profesor, Faik Doda edukoi dhe frymëzoi breza të tërë të rinjsh me ndjenja atdhedashurie dhe qëndrese ndaj pushtuesit.
Ai kujtoi se Doda iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me shumë të rinj, ndër të cilët edhe ish-nxënës të tij.
Haradinaj theksoi se edhe pas përfundimit të luftës, Doda vazhdoi të kontribuonte në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, duke dëshmuar përkushtim dhe profesionalizëm në çdo detyrë që mori përsipër. ‘Ngushëllimet më të sinqerta familjes Doda, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën nga afër.
Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut.
U prehsh në paqe!’, ka shkruar Haradinaj.
Ndarja nga jeta e profesorit dhe ish-ushtarit të UÇK-së, Faik Doda, ka pikëlluar familjarë, miq, bashkëluftëtarë dhe shumë gjenerata nxënësish që e njohën dhe e vlerësuan kontributin e tij në arsim dhe çështjen kombëtare.
