Agjencisë së Regjistrimit Civil në Prishtinë, ditëve në vijim do t’i drejtohet edhe Haxhi Shala.
Ish-komandant “Topi” do t’i ripërtërijë dokumentet personale si pasaporta, por këtë mund ta bëjë vetëm me aminin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, raporton Klankosova.tv.
Kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, të martën ia ka dhënë këtë leje Shalës që aktualisht është i liruar me kusht po me urdhër të gjyqtares bullgare.
Drejtuesja e kësaj gjykate, megjithatë, nuk po e lë Shalën të udhëtojë në Shqipëri për pushimet verore, meqë kjo është kërkesa e dytë e tij, pasi t’i ketë pranuar dokumentet e udhëtimit.
Refuzimi vjen edhe pse në mesin e kushteve të lirimit, për të cilin u vendos më 2 shkurt 2026, përmendet mundësia e udhëtimit jashtë Republikës së Kosovës, por vetëm pasi të ketë lejuar kryetarja e Gjykatës.
Haxhi Shala duhet që pasaportën dhe dokumentet tjera t’ia dorëzojë sërish Speciales, edhe pasi t’i ketë marrë të rejat, deri më 11 dhjetor 2026, kur të përfundojë dënimi i tij 3 vjeçar për pengim të drejtësisë.
Dhomat e Specializuara kishin refuzuar një kërkesë të njëjtë për pushime verore në Shqipëri të Isni Kilajt, në 2024-ën.
Ndonëse atij mund t’i sekuestroheshin edhe 30 mijë eurot që i kishte ofruar si dorëzani, Gjykata s’i besonte bashkëpunimit të autoriteteve të Shqipërisë në rast të arratisjes së Kilajt, duke marrë shkas mos-përfilljen ndaj DhSK-së të autoriteteve shqiptare për rastin e Dritan Goxhaj.
