Në qendrën e votimit të vendosur në shkollën ‘8 Marsi’ në Pejë është shënuar një incident i vogël gjatë orëve të pasdites, ndonëse procesi i votimit deri atëherë kishte kaluar pa probleme.
Sipas raportimit të gazetares së Klan Kosovës, Vesa Hoda, një person kishte ardhur për të votuar së bashku me nënën e tij, duke kërkuar që ajo të votojë me asistencë.
Mirëpo, nëna e tij nuk ishte e regjistruar për të votuar në këtë qendër votimi dhe nuk posedonte asnjë dokument apo certifikatë mjekësore që do të arsyetonte kërkesën.
Menaxherja e qendrës së votimit, Leonora Shoshi, ka sqaruar se kërkesa nuk mund të aprovohej në mungesë të dokumentacionit përkatës. ‘Nuk kanë qenë në të njëjtën qendër nëna me të birin, kërkuan të votojnë me asistencë, por nuk ka pasur asnjë dokument që tregon se ajo nuk është në gjendje të votojë.
S’ka qenë sjellja etike nga personi që erdhi të votojë. Është thirrur policia, por nuk ka pasur nevojë të përdoret forcë,’ tha ajo.
