Kryetari i Shoqatës së Botuesve dhe organizator i Panairit të Librit, Edon Zeneli, ka vlerësuar se interesimi për librin në Kosovë nuk është venitur, ndonëse sipas tij mënyrat për të arritur te libri kanë ndryshuar me kalimin e kohës.
Zeneli në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, tha se bazuar në përvojën e tij shumëvjeçare në këtë fushë, trendi i shitjes së librave është pozitiv edhe pse mungojnë statistika zyrtare në nivel shtetëror. ‘Interesimi për librin nuk është venitur asnjëherë, por mbase kanë ndryshuar formatet për të arritur deri te libri.
Jam aktiv në këtë fushë prej vitit 2007-2008 dhe, nga përshtypja ime personale, mund të them se trendi është pozitiv.
Fatkeqësisht nuk kemi të dhëna në nivel shtetëror për ta matur këtë,’ tha Zeneli.
Ai theksoi se, ndonëse nuk mund të përcillet në tërësi zinxhiri i leximit, një gjë është e qartë se libri vazhdon të blihet. ‘Libraritë konkurrojnë me fusha të tjera si dyqanet e rrobave dhe kafenetë, megjithatë arrijmë t’i mbajmë libraritë në vendet kryesore në Prishtinë, në qendrat tregtare dhe lokacione të tjera.
Së shpejti do të hapet edhe një librari në Prizren.
Që i bie se nëse në anën tjetër, ne nuk do të takoheshim me lexuesin që vjen si kërkesë dhe blen librin kjo nuk do të funksiononte,’ tha më tej Zeneli.
