Një ish-futbollist shqiptar, i cili ka veshur edhe fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, ka përfunduar në prangat e policisë franceze nën akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Olgerd Muka, 46-vjeçari, u arrestua në qytetin e Dizhonit në Francë, pas disa ditësh monitorimi nga policia.
Ai, bashkë me një shtetas tjetër shqiptar, dyshohet se po shpërndanin kokainë në një park të qytetit.
Muka, i cili ka luajtur për skuadra të njohura shqiptare si Lushnja, Teuta, Dinamo, Bylis, Flamurtari, Partizani dhe Besa, ka dalë para gjykatës duke treguar arsyet që e shtynë drejt këtij veprimi, duke përmendur vështirësitë ekonomike që i ka përjetuar.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai kishte filluar rrugëtimin si trajner, por problemet shëndetësore dhe humbja e vendit të punës i kishin krijuar vështirësi financiare për të dhe familjen e tij.
