Site icon Lajmeria.info

Komisionerja Evropiane: Siguria e Evropës e lidhur ngushtë me stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos tha se siguria e Evropës është e lidhur ngushtë me stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe se Bashkimi Evropian duhet të gjejë mënyra praktike për ta afruar rajonin ku bën pjesë edhe Kosova, më shpejt me strukturat evropiane.

Ajo bëri këtë koment pas takimit të parë ministror të ministrave të Jashtëm të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Bratisllavë të Sllovakisë. “Siguria e Evropës është shumë e lidhur me stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Prandaj duhet të gjejmë mënyra praktike për ta afruar rajonin me Bashkimin Evropian.

Advertisement. Scroll to continue reading.

Nga e kaluara e dimë se vetëm dy vende të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të BE-së: Kroacia dhe Sllovenia.

Prandaj duhet të bëjmë më shumë dhe kjo ishte në qendër të diskutimit tonë sot, si mund ta arrijmë këtë”, tha Kos, raporton Kosovapress.

Ajo tha se BE-ja nuk mund të lejojë që boshllëqet e sigurisë të rriten në fqinjësinë e saj, teksa shtoi se në këtë situatë gjeopolitike “të çmendur”, për herë të parë ka forca të jashtme destabilizuese që duan ta shohin BE-në dhe vendet aspiruese të dështojnë në procesin e anëtarësimit dhe se ato forca mund të ndërhyjnë dhe t’i përdorin “këto vende kundër nesh”. “Me Shqipërinë kemi hapur të gjithë kapitujt dhe shpresojmë të ecim drejt mbylljes së tyre sa më shpejt të jetë e mundur.

Advertisement. Scroll to continue reading.

Maqedonia e Veriut kohët e fundit ka përshpejtuar ritmin e reformave, por ambicia jonë është që i gjithë rajoni të ecë përpara.

Sepse në fund të fundit, të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian si anëtarë të barabartë, me të drejta dhe përgjegjësi të plota, të bazuara në harmonizim të plotë me ligjet dhe vlerat e BE-së”, tha Kos.

Ndërsa, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësi të përfitojnë nga mbështetja financiare dhe integruese e Bashkimit Evropian për t’u përballur me sfidat si migrimi i të rinjve drejt BE-së dhe nevojat për zhvillim ekonomik.

Advertisement. Scroll to continue reading.

Ai përmendi Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy shembuj pozitivë që duhet ndjekur të gjitha vendet tjera të rajonit në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Ne mendojmë se vende si Sllovakia, Mali i Zi dhe Shqipëria mund të jenë shembull pozitiv për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor se është e mundur të arrihet kjo.

Ne e mbështetëm Shqipërinë në rrugën e saj, sepse është shumë, shumë e motivuar dhe kjo është prioriteti i saj, por ata ende kanë punë për të bërë”, tha ai.

Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor përfshin Austrinë, Kroacinë, Greqinë, Çekinë, Sllovakinë, Italinë dhe Slloveninë.

Advertisement. Scroll to continue reading.

Në takimin në Bratislavë morën pjesë gjithashtu përfaqësues të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Kosovës.

Kosova ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022 për statusin e vendit kandidat në BE.

Për këtë, ende nuk ka ndonjë vendim nga Brukseli.

Advertisement. Scroll to continue reading.
Exit mobile version