Një delegacion i kongresistëve amerikanë, i përbërë nga Keith Self dhe Suhas Subramanyam, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës nga 26 deri më 28 maj, me kërkesë të organizatës ‘Albanians for America’.
Sipas njoftimit të organizatës, gjatë qëndrimit në Kosovë, kongresistët do të zhvillojnë takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, autoritete ndërkombëtare të sigurisë, liderë lokalë, si dhe me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Vizita ka për qëllim forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, diskutimin e zhvillimeve të sigurisë rajonale, si dhe mbështetjen e të drejtave dhe pozitës së shqiptarëve në rajon.
Delegacioni gjithashtu do të ketë takime edhe me autoritetet amerikane dhe ndërkombëtare të sigurisë në Camp Bondsteel, baza kryesore e forcave amerikane në Kosovë.
Pas vizitës në Kosovë, kongresistët amerikanë do të qëndrojnë në Luginën e Preshevës, ku do të takohen me Këshillin Kombëtar Shqiptar, përfaqësues politikë shqiptarë dhe drejtues të komunave të Preshevës dhe Bujanocit.
Fokus i takimeve në Luginën e Preshevës do të jenë të drejtat e shqiptarëve, zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në këtë pjesë të rajonit.
