Kosova e mbylli me një fitore ciklin e ndeshjeve të qershorit, duke e mposhtur Andorrën me rezultat 3-0 në një sfidë miqësore.
Serinë e golave e hapi Fisnik Asllani me një supergol nga goditja e lirë në pjesën e parë, duke i dhënë epërsinë “Dardanëve”.
Në pjesën e dytë, Albion Rrahmani realizoi nga pika e bardhë, ndërsa Valmir Matoshi vulosi fitoren me një goditje të saktë me kokë për rezultatin përfundimtar 3-0.
Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, u shpreh shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit.
Ai vlerësoi veçanërisht futbollistët e rinj që morën mundësinë të paraqiten.
Sipas Fodës, Kosova krijoi vazhdimisht rrezik nga krahët, megjithëse në disa raste mungoi pasimi vendimtar në fazën përfundimtare.
Në fund, tekniku gjerman uroi lojtarët për pushimet verore.
