Site icon Lajmeria.info

KQZ përmbyll numërimin e votave dhe publikon rezultatet e para, Aleanca siguron 7 ulëse në Kuvendin e Kosovës

Në ditën e dhjetë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur procesin e numërimit të të gjitha fletëvotimeve.

Të enjten, me mëngjes, do të fillojë rinumërimi i fletëvotimeve nga 185 vendvotime nga 2 mijë e 498 sish.

Bazuar në rezultatet e publikuara nga KQZ, Aleanca ka siguruar shtatë ulëse në legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës.

Advertisement. Scroll to continue reading.

Ardian Gjini, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Time Kadrijaj, Albana Bytyqi dhe Teuta Haxhiu, janë kandidatët nga ky subjekt politik që fituan mandatet e deputetëve.

Pas përfundimit të numërimit të votave, KQZ ka njoftuar se e drejta për ankesë lidhur me administrimin në Qendrat Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është një e drejtë që palët kanë mundur ta shfrytëzojnë në vazhdimësi, brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se për administrimin e numërimit në ditën e fundit, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ankesat mund të dorëzohen me shkrim në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar. ‘Në rast se brenda 48 orëve nuk do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit në ditën e fundit, KQZ është e gatshme për të proceduar me shpalljen e rezultateve përfundimtare, ndërsa nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ do të presë vendimmarrjen e institucioneve përkatëse dhe do të zbatojë vendimet nëse ato e obligojnë KQZ-në dhe vetëm pastaj mund të shpall rezultatet përfundimtare’, deklaroi ai.

Advertisement. Scroll to continue reading.
Exit mobile version