Site icon Lajmeria

Kurti: Do t’ua paguajmë vjehërrinë që kujdesen për nipa e mbesa

Pagesa për vjehërrinë që kujdesen për nipa e mbesa në shtëpi.

Ishte ky zotimi që Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shqiptoi para kaçanikasve (dhe jo vetëm) gjatë tubimit zgjedhor në Sallën e Sporteve të qytetit, ku foli gjerë e gjatë për ato që i pandeh si “punë të mëdha” të bëra gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes.

U zotua – pa dhënë kurrëfarë hollësish – se do të ndajë një miliardë euro për investime të mëdha e të mesme për ndërmarrje prodhuese “ku do të ketë shumë familje ku punojnë të dy prindërit”.

“Do të kemi mbështetje financiare për gjyshet e gjyshërit që kujdesen për nipërit e mbesat e tyre prej moshë 1 deri në 3 vjeç”, tha Albin Kurti.

“E do t’i paguajmë gjyshet e gjyshërit nëpër shtëpi…dhëndureve e nuseve që punojnë do t’ua paguajmë vjehrrën e vjehrrin”, shtoi ai.

Kurti – duke hequr formalizimin e vendeve të punës dhe ato të supër-punës që kanë qenë vende aktive pune fare shkurtër – pretendoi se me qeverisjen e tij janë shtuar “tetëdhjetë mijë vende të reja të punës”.

E kemi gjetë me 350 mijë të punësuar, tash 430 mijë, më pak se katër vjet 80 mijë më shumë. A e dini sa janë 80 mijë? Janë 55 të punësuar për çdo ditë. Për çdo ditë në këto katër vjet do të thotë që është themelu një kompani e re me 55 të punësum”, tha Kurti.

Kurti vazhdi të ngrejë veten në kontrast me qeveritë e kaluara, të cilët i quajti “të pabesë e të pashpresë” si dhe “mendjelehtë e zemërngushtë”.

“Shtrohet pyetja pse do të fitojmë ne? Sepse ish qeveritarët që populli i njeh mirë, sepse i ka përjetuar edhe në lëkurë edhe në asht, ishin mendjelehtë e zemërgurë, e ne që jemi bashkë në këtë listë 118, jem iedhe mendjemprehtë edhe zemërgjerë”, tha ai.

Ne bashkë, me mendje sjellim shpresë, sepse me zemër kemi besë. E ish-qeveritar edhe të pashpresë edhe të pabesë. E pse është kështu? Sepse ne merremi me politikë jo nga dëshira për pushtet por nga dashuria për shtet, liri, drejtësi e zhvillim, e komb e barazi”, tha Albin Kurti.

Para disa qindra të tubuarve – shumë prej tyre të ardhur edhe me vetura nga Tetova, Kumanove e Shkupi – Kurti u lëshua në lavde për Kaçanikun.

“Kur u nisa sot prej Prishtinës, më thanë veshu trash se sonte është ftoftë. E unë iu thash që në Kaçanik po shkoj. E masanej më thanë, e mirë koke pra”, tha Kurti.

Një orë para tubimit…

Në një familja kaçanikase ku po diskutonte në odë, Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shprehu dyshime e rezerva rreth asaj nëse i arrin votat për të bërë vetëm qeveri, ndërsa u lëshua në sulme ndaj analistëve televizivë.

“Që s’e mbërrin na, këta kan m’u bo si te Avdullah Hoti edhe një herë bashkë, mundem m’u bë. E masnej sa e mbajnë, ta kqyrim”.

“Po tash duhet me kuptu, krejt këta analista nëpër studio e kanë rrogën shumëfish më të madhe se ministrat e mi. Analistat për ni javë t’i marrin sa këta (ministrat)”, tha Kurti në Kaçanik.

Kujtojmë se në ligjërim publik Vetëvendosja pretendon se veçse i ka 500 mijë votë; shifër kjo të cilën e ka edhe kërkesë e sllogan zgjedhor

Exit mobile version