Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Antero Lopes, të cilin e uroi për detyrën e re dhe i dëshiroi sukses në ushtrimin e mandatit.
Kurti e falënderoi EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm në Kosovë, në veçanti për monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen për forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës.
Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e vazhdimit të monitorimit të performancës së institucioneve të drejtësisë, si dhe për trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Ai rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe konstruktiv me EULEX-in gjatë mandatit të Lopes.
