Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, raporton se trajneri italian Enzo Maresca është “kandidati i vetëm” për postin te Manchester City, nëse Pep Guardiola vendos të largohet në fund të sezonit.
Sipas Romanos, ish-trajneri i Chelseat dhe Parmas konsiderohet “i vetmi kandidat” për ta marrë drejtimin e Manchester Cityt në sezonin 2026/27.
Maresca fitoi Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube me Chelsean, por u largua nga “Stamford Bridge” më 1 janar 2026, për shkak të mosmarrëveshjeve me drejtuesit e klubit londinez.
Ish-mesfushori i Juventusit raportohet se po pret vendimin e Pep Guardiolës për të ardhmen e tij në klub dhe një thirrje të mundshme nga Manchester City.
Guardiolës i ka mbetur edhe një vit kontratë në “Etihad Stadium”, por e ardhmja e tij pas verës mbetet e paqartë, pasi spanjolli mund të vendosë të largohet.
Maresca ka qenë asistent i Guardiolës në sezonin 2022/23, kur Manchester City fitoi tripletën, ndërsa ka punuar edhe në akademinë e Manchester Cityt në sezonin 2020/21.
“Çfarë ka rëndësi, pavarësisht klubit, është të jesh gati. Kanë mbetur vetëm edhe disa javë deri në fund të sezonit, pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Maresca./Telegrafi/
