Site icon Lajmeria

Lirohen dy serbët e arrestuar në Prizren, Prokuroria: S’ka dyshim të bazuar për kërkesë për paraburgim

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar lidhur me rastin e ndalimit të tri veturave me targa serbe dhe 12 personave në to, të dielën më 6 prill, në afërsi të urës së Arastës në Prizren.

Sipas Prokurorisë, pas ndalimit të dy prej të dyshuarve serbë për 48 orë dhe analizimit të të gjitha provave e rrethanave të paraqitura gjatë fazës fillestare të hetimit, prokurori i çështjes ka konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar si standard i nevojshëm ligjor për të kërkuar masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë.

Në njoftim theksohet se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurve.

“Prokuroria mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi të lartë, duke respektuar të drejtat e palëve dhe duke siguruar zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe objektive”, thuhet në komunikatë.

Nga 12 personat e ndaluar fillimisht, 10 janë liruar menjëherë në procedurë të rregullt, ndërsa dy të tjerë ishin ndaluar për 48 orë për hetime të mëtejshme.

Exit mobile version