Sipas njoftimit të komunës, ndryshimet prekin rrugët ‘Hekurudha’ dhe ‘Vicianum’, ku qarkullimi është rikthyer në gjendjen e mëparshme, me synim përmirësimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë në komunikacion. ‘Pas përfundimit të një pjese të punimeve dhe riparimeve infrastrukturore në lagjen Lakrishte, është bërë riorganizimi i qarkullimit të mjeteve motorike në rrugët ‘Hekurudha’ dhe ‘Vicianum’, duke rikthyer qarkullimin në gjendjen e mëparshme’, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Sipas vendimit, rruga ‘Hekurudha’ do të jetë me një kah qarkullimi, duke filluar nga kryqëzimi i rrethit në magjistralen ‘M-2’ në drejtim të rrugëve ‘Hekurudha’ dhe ‘Bekim Fehmiu’.
Ndërkohë, ‘Vicianum’ do të funksionojë me një kah qarkullimi nga kryqëzimi me rrugën ‘Ahmet Krasniqi’ në drejtim të magjistrales ‘M-2’. ‘Rruga ‘Vicianum’ do të jetë me një kah të qarkullimit, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën ‘Ahmet Krasniqi’, në drejtim të rrugës ‘Magjistralja M-2’, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkohë, rrugët ‘Bekim Fehmiu’ dhe ‘Tirana’ do të vazhdojnë të jenë me dy kahe qarkullimi. ‘Këto ndryshime janë bërë me qëllim të përmirësimit të rrjedhës së trafikut, rritjes së sigurisë në komunikacion dhe pas përfundimit të punimeve infrastrukturore në këtë pjesë të lagjes Lakrishte’, thekson Komuna e Prishtinës.
