Site icon Lajmeria

OFK për Ligjin për çmimin e barnave: Rrezikon krijimin e monopoleve, shkakton mungesë barnash

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se vendimet e shpeshta dhe të paqëndrueshme të Ministrisë së Shëndetësisë për rregullimin e çmimeve të barnave po shkaktojnë paqartësi dhe probleme serioze në tregun farmaceutik,

Bytyqi ngriti shqetësime të forta se Ligji për çmimet e produkteve medicinale mund të çojë në krijimin e monopoleve dhe mungesë të barnave esenciale për qytetarët.

Ai gjithashtu kritikoi vendimmarrjen e Ministrisë së Shëndetësisë, duke e cilësuar atë të paqëndrueshme dhe të izoluar nga konsultimi me Odën e Farmacistëve.

“Ne si Odë kemi qenë dhe jemi për unifikimin e çmimeve, pra ligji duhet që të zbatohet në tërësinë e vet, por me vërejtjet që i kemi dhënë ne dhe që kanë dalë të jenë të vërteta të gjitha ato që i kemi potencuar. E them këtë, sepse e kemi kundërshtuar vendimin apo pikën numër 6 të vendimit të asaj kohe, pikë e cila i vinte në vështirësi të madhe farmacistët, por edhe të gjithë akterët, të cilët duheshin që ta implementonin atë. Ai vendim parashihte që barnatoret duhej të vendosnin çmimet në barna, pra ishte i kundërligjshëm si vendim, pika gjashtë, sepse dihet saktësisht se kush vendos apo shtyp apo jep banderola. Ajo është Agjencia e Kosovës për Pajisje të Produkteve dhe assesi barnatorja, apo në këtë rast farmacisti. Kohët e fundit ne e kemi parë që është ndryshuar një vendim, është vendosur një vendim tjetër i ministrit, pastaj prapë është anuluar. Vendimet e ministrit janë vendime që po i dalin të jenë vendime shumë afatshkurtra, tre-katërditore, që më nuk po mund të thirremi se në cilin vendim ka gabuar”, tha Bytyqi.

Exit mobile version