Policia e Kosovës ka zbuluar sërish armë dhe municion në pjesën veriore të Mitrovicës, pas një informate të pranuar nga qytetarët për praninë e armëve në një lokacion të dyshimtë.
Njësitë policore kanë kryer një kontroll në podrumin e një ndërtese kolektive në rrugën “Ivo Lola Ribar”, ku kanë gjetur dhe sekuestruar tetë karikatorë me fishekë, një tromblon si dhe pajisje shtesë të destinuara për gjuajtje me tromblon.
Policia ka intervistuar një person në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur rastin dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
Deri më tani, nuk është arrestuar asnjë i dyshuar.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe thekson se do të vazhdojë përkushtimin në luftimin e dukurive të paligjshme dhe në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, pa dallim.
