Dokumenti është lansuar në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Trump publikoi në rrjetin e tij social pamjet e dizajnit të ri, ku në një nga faqet e pasaportës shfaqet fotografia e tij pranë tavolinës historike Resolute Desk, me Deklaratën e Pavarësisë në sfond dhe nënshkrimin e tij poshtë.
Pasaportat e reja do të jenë në dispozicion nga 6 korriku, por vetëm në sasi të kufizuara, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.
Autoritetet amerikane thonë se dokumenti mund të merret vetëm nga shtetasit amerikanë dhe aplikimi nuk mund të bëhet online apo me postë.
Interesuarit duhet të caktojnë takim fizik në Agjencinë e Pasaportave në Uashington, ndërsa do të ketë edhe disa ngjarje të veçanta për aplikime.
Ky është rasti i parë në histori që një president në detyrë përfshihet në dizajnin e një pasaporte amerikane.
Versioni i ri vjen pas një sërë iniciativash të administratës Trump për të shënuar 250-vjetorin e SHBA-së, përfshirë edhe plane për monedha përkujtimore dhe dokumente zyrtare me emrin ose imazhin e presidentit.
Pasaportat standarde amerikane aktualisht përmbajnë ilustrime nga historia e vendit, si zbarkimi në Hënë dhe monumente simbolike si Statuja e Lirisë.
Nuk është bërë e ditur nëse qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin mes versionit standard dhe atij përkujtimor.
