Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se zgjedhja e presidentit apo presidentes së Kosovës duhet të jetë prioritet pas konstituimit të Kuvendit, duke paralajmëruar se moszgjedhja e kreut të shtetit brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh do ta çonte vendin në zgjedhje të reja.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Baraliu ka thënë se Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë se mandatin për formimin e Qeverisë e jep presidenti ose presidentja e zgjedhur dhe jo ushtruesi i detyrës.
Sipas Baraliut, pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryetarit të tij, institucionet kanë obligim kushtetues që brenda afatit të përcaktuar të zgjedhin presidentin e vendit.
Ai ka paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues do të prodhonte një krizë të re institucionale dhe zgjedhje të parakohshme.
