Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, ka thënë se as kryeqyteti nuk është kursyer nga stuhia e djeshme, e cila shkaktoi jo pak dëme në Suharekë.
Në emisionin ‘Fol me Arin’ në KlanKosovaFM, ai tha se Prishtina u përball me erëra të forta, shi, bubullima, të cilat, tha ai, nuk kanë shkaktuar dëme të mëdha. ‘Dëmet janë më të vogla në krahasim me komunat e tjera.
Kemi pasur disa drunj të rrëzuar, disa fasada të dëmtuara, kanë qenë katër shtylla të ndriçimit në fshatin Busi, të cilat janë elminuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike mbrëmë menjëherë.
Disa shtylla elektrike në të cilat ka intervenuar KEDS-i.
Pra, nuk kemi pasur probleme të theksuara në krahasim me komunat e tjera,’ u shpreh Fushtica.
Tutje, ai tha se tashmë të gjitha ekipet janë në gjendje gatishmërie, por shtoi se deri më tani nuk ka probleme të theksuara.
Drejtori Fushtica kërkoi nga qytetarët e Prishtinës që t’i shmangen rrugëve në kohën e stuhisë, në pikun e stuhisë.
