Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet S.M., i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Grabitja’.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Departamenti për Krime të Rënda ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit.
Sipas dyshimeve të paraqitura në kërkesë, ngjarja ka ndodhur më 2 gusht 2026, rreth orës 01:30 pas mesnate, në hyrje të një banese në Gjakovë.
I dyshuari, dyshohet se duke përdorur forcën dhe një thikë, ka kanosur një person tjetër me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror.
Prokuroria pretendon se i dyshuari i është afruar të dëmtuarit dhe i ka kërkuar që t’i dorëzonte paratë, duke e kërcënuar me thikë.
Nga frika e kanosjes, viktima fillimisht i ka dhënë 20 euro, ndërsa më pas edhe 30 euro të tjera.
Pas përpjekjes së të dëmtuarit për t’u larguar, i dyshuari dyshohet se e ka penguar fizikisht dhe më pas e ka ndjekur.
Situata është ndërprerë pas ndërhyrjes së një dëshmitareje.
I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh që nga 3 gushti, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
