Heqja e flamurit izraelit nga protestuesit në Tiranë ka nxitur reagime të shumta në Shqipëri.
Në mesin e atyre që kanë reaguar ka qenë edhe ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.
Në një deklaratë, ambasadorja tha se respekton të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të protestuar, por e cilësoi grisjen e flamurit si një veprim që nuk i shërben debatit publik dhe dëmton imazhin e Shqipërisë.
Ambasadorja falënderoi gjithashtu reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, e cila e dënoi një akt të tillë.
Përmes një reagimi në Facebook, Ministria e Jashtme ka thënë se ky veprim nuk përfaqëson Shqipërinë e as popullin shqiptar dhe bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes.
Albana Koçiu, zëvendëskryeministre e Shqipërisë, ka deklaruar se heqja e flamurit izraelit nga godina e Ambasadës së Izraelit në Tiranë është një akt i papranueshëm provokimi.
Komuniteti Hebraik Shqiptar ka shprehur tronditjen, indinjatën dhe shqetësimin e tij për aktin, duke e vlerësuar si një sinjal alarmi.
Sipas reagimit të tyre, përdhosja e flamurit të Izraelit është një akt urrejtjeje dhe sulm ndaj normave të së drejtës ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike.
Deklaratat e dëgjuara në protestë, ku shpallja se ‘Izraeli është armiku ynë’ është konsideruar si gjuhë e rrezikshme dhe përçarëse, që synon të importojë konflikte dhe narrativa ekstremiste në shoqërinë shqiptare.
