Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar menjëherë pas publikimit të një rasti në emisionin investigativ Piranjat, duke e cilësuar ngjarjen si të rëndë dhe të papranueshme.
Në reagimin e tij publik, Gjini tha se siguria dhe dinjiteti i fëmijëve janë “vija të kuqe të pakontestueshme” për institucionet dhe se për raste të tilla nuk do të ketë asnjë kompromis.
Ai bëri të ditur se personi i përfshirë në rast është pezulluar menjëherë nga detyra e drejtorit të shkollës, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi. “Në emër të Komunës së Gjakovës dhe në emrin tim personal, distancohem plotësisht dhe pa asnjë rezervë nga ky individ dhe çdo veprim i tij i turpshëm, i cili bie ndesh me moralin njerëzor dhe misionin e shenjtë të arsimit”, deklaroi Gjini.
Gjini tha se Komuna e Gjakovës do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me organet e rendit dhe prokurorinë për zbardhjen e plotë të rastit dhe për sigurimin e dënimit maksimal ligjor ndaj personit të përfshirë.
Ai theksoi se gjithashtu sqaroi se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021.
I pari i Komunës së Gjakovës tha se ka kërkuar menjëherë konfirmim zyrtar nga kryetari i Degës së Aleancës në Gjakovë, Flamur Fetahaj, për të verifikuar se individi nuk ka asnjë lidhje apo angazhim me partinë.
Në fund, kryetari i Gjakovës garantoi qytetarët, prindërit dhe nxënësit se institucionet arsimore në komunë do të mbeten ambiente të sigurta për fëmijët dhe se çdo shkelje e tillë do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe masa të menjëhershme ligjore.
Klankosova.tv ka dërguar në adresë të Prokurorisë Themelore të Gjakovës dhe është në pritje të një përgjigje.
