Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas publikimit të një fotografie ku shihet ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, e në të cilën në prapavijë shihet Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e vendosur në dysheme, pas divanit.
Në reagimin e saj në Facebook, OVL-UÇK e ka cilësuar fotografinë si “rrëfim politik”, duke thënë se dokumenti i shtetësisë së Kosovës është përdhosur. “Fotografia nga zyra e Dimal Bashës është rrëfim politik.
Deklarata e Pavarësisë, e vulosur me sakrificë, gjak, burgime, mërgim dhe luftë, përdhoset nga ministri i Qeverisë Kurti.
Basha nuk ka bërë thjesht një gabim protokollar.
Ka shpërfaqur një vazhdimësi”, shkroi OVL-UÇK.
Në reagim përmendet edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe Lëvizja Vetëvendosje, për të cilët OVL e UÇK-së thotë se kanë normalizuar armiqësinë ndaj themeleve të Republikës. “Një njeri që dikur u vinte firmën shkrimeve që shpifnin kundër UÇK-së duke e quajtur kriminale, nuk mund të fshihet sot pas pakujdesisë kur simboli i shtetësisë së Kosovës nëpërkëmbet nën autoritetin e tij.
I njëjti përçmim, veçse i inskenuar brenda institucioneve që ekzistojnë falë atyre që ai ka fyer.
Albin Kurti dhe LVV-ja nuk mund t’i lajnë duart nga kjo.
Lartësuan figura të tilla dhe normalizuan armiqësinë ndaj themeleve të Republikës, duke e kthyer pushtetin institucional në strehë për ata që nuk u pajtuan kurrë me pavarësinë e Kosovës.
Arroganca e tyre ndaj Luftës Çlirimtare është kthyer në arrogancë ndaj vetë shtetit”, shkroi Organizata e Veteranëve të Luftës.
Organizata ka kërkuar po ashtu që Prokuroria e Shtetit të nisë hetime lidhur me rastin, ndërsa ka kërkuar sqarime nga Basha për mënyrën e trajtimit të dokumenteve me vlerë shtetërore. “Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke e dënuar këtë akt të poshtër, i kujton Qeverisë se pavarësia e Kosovës nuk është dekor.
UÇK-ja nuk është material shpifjesh për oportunistët politikë që ndërtuan karrierë mbi varret e atyre që vetë i dënuan.
Prokuroria e Shtetit duhet të nis hetimet.
Basha duhet të sqarojë se në llogari të kujt i përdhos dokumentet me vlerë të posaçme shtetërore, e Kurti duhet të përgjigjet për kulturën antishtetërore që ka instaluar qëllimisht në qeveri”, shkroi OVL-UÇK.
