Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentit serb, Alleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Haxhiu e ka cilësuar këtë si një shqetësim serioz që, sipas saj, duhet të trajtohet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Serbia vazhdon politikën e saj hegjemoniste ndaj Kosovës, një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohet me partnerët tanë ndërkombëtarë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Siç e dini për Ibër Lepenci dhe liqeni i Ujmanit, janë pjesë e një sistemi epik për furnizim me ujë për energjinë bujqësinë dhe jetën e qindra mijërave qytetarëve të Kosovës.
Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike, ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës tonë.
Për këtë arsye, diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë, dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për natyrën dhe pasojat e kësaj ideje absurde sa edhe kërcënuese.
Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”, tha Haxhiu.
