Në diskutimin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi temën “Shfrytëzimi i LNG-së Amerikane për Sigurinë Energjetike dhe Përafrimin Strategjik të Kosovës”, Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Energjisë së Shteteve të Bashkuara për Evropën, Euroazinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme, Dan Byers, riafirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Kosovës drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të sigurisë energjetike.
Siç bën të ditur Oda Amerikane në një njoftim, duke nënvizuar se “siguria energjetike është siguri kombëtare”, Byers theksoi se qëndrueshmëria energjetike matet përmes diversifikimit të burimeve dhe alternativave të furnizimit.
Ai vlerësoi rolin e thëngjillit si bazë e sistemit energjetik të Kosovës, por shtoi se gazi i lëngshëm natyror (LNG) mund të bëhet një komponent i rëndësishëm i miksit energjetik të vendit në të ardhmen, veçanërisht në kushtet e rritjes së kërkesës për energji.
Duke folur për potencialin e furnizimit, Byers theksoi se Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe se kapacitetet amerikane të eksportit të LNG-së pritet të rriten ndjeshëm në vitet e ardhshme.
Ai nënvizoi se SHBA-të tashmë furnizojnë rreth 60 për qind të importeve evropiane të LNG-së dhe se do të vazhdojnë të luajnë një rol kyç në mbështetjen e aleatëve evropianë përmes furnizimeve të sigurta dhe të diversifikuara me energji.
Byers theksoi se disponueshmëria e furnizimit nuk është e mjaftueshme pa zhvillimin e infrastrukturës përkatëse, duke nënvizuar rëndësinë e investimeve në ndërlidhje rajonale dhe korridore energjetike që mund të mundësojnë qasjen e Kosovës në LNG.
Në këtë kontekst, ai përmendi përkushtimin e Departamentit të Energjisë për të mbështetur projekte infrastrukturore dhe iniciativa rajonale që forcojnë sigurinë energjetike në Evropën Juglindore.
Duke iu referuar rekomandimeve të Odës Amerikane, Byers theksoi rëndësinë e planifikimit afatgjatë, studimeve të fizibilitetit, investimeve strategjike dhe diplomacisë energjetike për të siguruar që Kosova të jetë e përgatitur për të përfituar nga mundësitë që ofron LNG-ja.
Në përmbyllje, ai riafirmoi gatishmërinë e Departamentit të Energjisë së SHBA-ve për të mbështetur Kosovën përmes ekspertizës teknike, ngritjes së kapaciteteve dhe bashkëpunimit strategjik, duke theksuar se forcimi i sigurisë energjetike të aleatëve dhe partnerëve mbetet një prioritet i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara.
