Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, kishte përuruar punimet për ndërtimin e projektit të “Ishullit Urban” më 6 nëntor të vitit të kaluar.
Megjithatë, punimet ishin ndaluar dhe për këtë ka një kallëzim penal të ushtruar ndaj tij nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës (MKRS).
Ministria ka pretenduar se Rama ka keqpërdorur pozitat zyrtare dhe ka tejkaluar kompetencat e tij, duke lidhur kontrata pa leje të nevojshme dhe duke shkelur ligjet për Trashëgiminë Kulturore dhe Ndërtimin. Sipas kallëzimit penal të datës 27 dhjetor 2024, Rama ka nënshkruar kontratën e projektit të “Ishullit Urban” prej mbi 6.5 milionë euro, pa marrë miratimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe pa marrë lejen për ndërtim.
Në Debat Plus, Bislim Bislimi, sekretar i Ministrisë së Kulturës, ka shpjeguar se projekti mund të realizohet vetëm nëse komuna merr leje nga autoritetet përkatëse dhe respekton parimet e ligjeve.
“Po mundet me pas ishull, i cili nuk e shkel Ligjin për Trashëgimin Kulturore dhe vendimin e Kuvendit Komunal. Duke përfillur ligjin komuna, duke marrë leje. Dhe e pastaj e kontrollojmë nëse ky variant i propozuar i respekton parimet e ligjit dhe e vendimit e Kuvendit Komunal, që na e nda parcelën për shfrytëzim afatgjatë për ndërtim. Gjë që nuk e ka bërë. Ka lidhur kontratë. është një problem fundamental që duhet me kuptu sipas Ligjit për Trashëgiminë kulturore, që në fillim kur projektohet në projekt duhet të merren kushte dhe kushtet merren nga autoriteti relevant që i jep leje dhe ai autoritet nuk është fare komuna. Zonat mbrojtëse të trashëgimisë kulturore sipas Ligjit për Ndërtim, janë kategori tre. Dhe në kategorinë tre nuk jep leje komuna, jep mistria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka thënë Bislimi në Debat Plus.
