Ish-kapiteni i Sevillas dhe Real Madridit, Sergio Ramos, ka reaguar pas akuzave nga aksionarët kryesorë të Sevillas se grupi i tij i investimeve kishte ulur ndjeshëm ofertën për blerjen e klubit.
Aksionarët pretenduan se oferta fillestare prej 440 milionë eurosh ishte reduktuar në rreth 220 milionë euro, duke e cilësuar atë si “ofertën më të keqe të marrë ndonjëherë”.
Në një konferencë për shtyp, Ramos mohoi këto pretendime dhe sqaroi se oferta përfundimtare e grupit Five Eleven kap vlerën minimale prej 362 milionë eurosh.
Sipas tij, plani përfshin blerjen e deri në 85% të aksioneve, një rikapitalizim prej 120 milionë eurosh dhe pagesa për aksionarët aktualë në dy faza.
Ramos theksoi se ndryshimet në ofertë u bënë pas rekomandimeve të La Ligës dhe këshilltarëve financiarë, me qëllim forcimin e stabilitetit ekonomik të klubit. ‘Jemi ende këtu dhe duam të vazhdojmë negociatat.
Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë të ndihmojmë Sevillan të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme’, deklaroi Ramos.
