Site icon Lajmeria.info

Shkrimtari i njohur vushtrrias Bedri Tahiri promovoi trilogjinë letrare në Vushtrri

Organizuar nga Komuna e Vushtrri, profesori dhe shkrimtari i njohur u nderua në 70-vjetorin e tij me promovimin e tre librave që pasqyrojnë jetën dhe veprën e tij letrare.
Aktiviteti u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Ferit Idrizi, duke mbledhur një numër të madh miqsh, kolegësh, krijuesish, nxënësish dhe dashamirësh të librit.
Ky përurim i veçantë erdhi në një moment simbolik për profesor Tahirin, i cili këtë vit shënon 70-vjetorin e jetës. Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai shprehu falënderime të shumta për familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij në arsim, kulturë dhe letërsi.
Në këtë ceremoni u promovua një trilogji me mbi 1200 faqe, e cila përfshin:
“Në stuhitë e kohës – Bedri Tahiri në kujtesë të brezave”, përgatitur nga poeti Atdhe Geci,
“Vepra letrare – Testament breznie orëmira”, një antologji e krijimtarisë së tij,
“Pena dritë – Fjala përjetësi”, studim për krijimtarinë e Bedri Tahirit nga studiuesi Xhemail Ali Peci.
Libri i parë përmbledh shkrime dhe kujtime nga 125 autorë të ndryshëm – nxënës, kolegë, studiues, shkrimtarë dhe veprimtarë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora – duke e kthyer veprën në një dëshmi të gjallë të ndikimit të profesor Tahirit ndër breza.
Ndërkohë, dy librat e tjerë sjellin një përzgjedhje të gjerë nga krijimtaria e tij letrare dhe analiza të thelluara mbi veprat e tij, duke evidentuar vlerat estetike, stilistike dhe mesazhet që ato përcjellin për brezat e rinj.
Në fjalën e tij, Tahiri theksoi se ky nderim e emocionon dhe njëkohësisht e obligon që të vazhdojë punën dhe angazhimin e tij krijues edhe në të ardhmen. Ai falënderoi gjithashtu organizatorët, bashkëpunëtorët, redaktorët dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin dhe botimin e këtyre veprave.
Promovimi i kësaj trilogjie u shndërrua në një ngjarje të rëndësishme kulturore për qytetin, duke dëshmuar respektin dhe vlerësimin për një figurë që për dekada të tëra ka kontribuar në arsim, letërsi dhe në ruajtjen e kujtesës historike shqiptare.
Exit mobile version