Associated Press (AP), Reuters, USA Today, Yahoo dhe Fortune janë ndër platformat ndërkombëtare që kanë vendosur Sunny Hill Festivalin në ballinat e tyre, duke e sjellë këtë ngjarje nga Kosova në audiencën globale.
Prania në këto media ndërkombëtare e vendos festivalin në mesin e ngjarjeve muzikore që po tërheqin interes përtej rajonit.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Fever – platforma lider në zbulimin e përvojave dhe argëtimit live, do të shërbejë si porta kryesore ndërkombëtare për rezervimin e biletave nga publiku jashtë Kosovës.
Platforma do të përdorë teknologjinë dhe rrjetin e saj global të marketingut për të mbështetur zgjerimin ndërkombëtar të festivalit.
Gjithashtu, Sunny Hill do të jetë i listuar edhe në DICE, platformën e biletave që Fever e bleu në vitin 2025, duke e bërë festivalin edhe më të lehtë për t’u zbuluar dhe rezervuar nga fansat në mbarë botën.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është të lehtësojë udhëtimin e vizitorëve ndërkombëtarë, të nxisë shkëmbimin kulturor dhe të forcojë ndikimin ekonomik të festivalit në turizmin e Kosovës.
Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht 2026 në Sunny Hill Festival Park në Prishtinë.
Në mesin e emrave të konfirmuar për këtë vit janë Katy Perry, Martin Garrix, Lewis Capaldi, Dhurata Dora, Ledri Vula, Blanco, Adam Port dhe Rampa nga Keinemusik, PAWSA, Seth Troxler, Carlita, MC Kresha & Manifest, si dhe shumë artistë të tjerë.
Festivali u themelua në vitin 2018 nga Dukagjin ‘Dugi’ Lipa, ndërsa promovimi i tij ndërkombëtar udhëhiqet nga fituesja e trefishtë e çmimit Grammy, Dua Lipa.
Themeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa, tha se Sunny Hill ka qenë gjithmonë më shumë sesa një festival muzikor.
Edhe Mariano Otero, nënkryetar i lartë i Fever, e cilësoi Sunny Hill-in si një festival që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Sipas Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, edicioni i vitit 2025 gjeneroi rreth 22 milionë euro ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik, duke përfituar sektorët e hotelerisë, gastronomisë, transportit, tregtisë dhe bizneset lokale.
Në të njëjtin vit, Sunny Hill u nderua edhe me Çmimin për Ndikim Ekonomik 2025 nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Organizatorët theksojnë se, nëse llogaritet i gjithë ndikimi i vizitorëve – përfshirë shpenzimet e diasporës dhe të turistëve që qëndrojnë disa ditë në Kosovë – efekti ekonomik arrin afërsisht 50 milionë euro për çdo edicion.
Gjatë festivalit të vitit 2025, hotelet në Prishtinë shënuan 99 deri në 100 për qind të kapaciteteve të mbushura, ndërsa në pjesën tjetër të Kosovës niveli i zënies ishte rreth 96 për qind.
Sunny Hill Festival vepron në mbështetje të Sunny Hill Foundation, e cila financon projekte në fushën e artit, kulturës dhe arsimit në Kosovë, përfshirë bursa STEM për vajza dhe programe që lidhin artistët e rinj kosovarë me profesionistë ndërkombëtarë.
Po ashtu, organizatorët kanë nisur një investim prej 7 milionë eurosh për transformimin e zonës së festivalit në një park publik, që do të mbetet një trashëgimi afatgjatë për qytetarët, përveç organizimit të festivalit çdo vit.
