Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se është suspenduar llogaria në Facebook e gazetarit dhe themeluesit të portalit “Paparaci”, Vehbi Kajtazi.
AGK-ja tha se sipas Kajtazit, ky suspendim vjen si pasojë e raportimeve të vazhdueshme të bëra ndaj postimeve të tij që lidhen me zgjedhjet e 9 shkurtit dhe veprimeve të shumta nga llogari të automatizuara (bots) që e kanë “ngacmuar dhe shqetësuar në platformën e tij para dhe gjatë fushatës zgjedhore”.
“AGK-ja rikujton rëndësinë e garantimit të lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së gazetarëve nga çfarëdo forme e ndërhyrjes apo pengimit në punën e tyre. Njëherit bëjmë thirrje që të mos cenohet në asnjë mënyrë puna e gazetarëve”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, AGK-ja tha se inkurajon institucionet dhe platformat digjitale që të bashkëpunojnë për të parandaluar sulmet dhe ndërhyrjet që cenojnë gazetarinë e lirë.
