Site icon Lajmeria.info

Vdes prifti hero i Gllogjanit që shpëtoi qindra jetë gjatë luftës

Një ditë e hidhur ka goditur komunitetin katolik dhe gjithë Kosovën: ka ndërruar jetë prifti i shquar me prejardhje nga Spaç i Mirditës, Dom Kelmend Spaqi, famullitar në Kishën e “Shna Ndout” në Gllogjan. Lajmin e trishtë e kanë bërë të ditur familjarë dhe miq të tij përmes rrjetit social Facebook, duke ndarë dhimbjen e madhe të humbjes së një njeriu të jashtëzakonshëm.

“E Enjtja e Shenjtë. Dita e Meshtarisë. Kjo ditë që duhej të ishte ditë gëzimi e bekimi, u kthye në dhimbje për të gjithë ne që të njohëm dhe të deshëm. Pusho në Paqe Dom Kelmend Spaqi,” shkroi prifti Gabriel Grabanica, duke përshkruar humbjen e thellë të komunitetit.

Heroi i vërtetë i kohës së luftës

Advertisement. Scroll to continue reading.

Dom Kelmend Spaqi nuk ishte vetëm një prift që kryente ritualet fetare; ai ishte një hero i vërtetë i kohës së luftës. Gjatë konfliktit në Kosovë, ai strehonte qindra shqiptarë myslimanë në kishën e tij, duke i mbrojtur nga forcat paramilitare serbe.

Në një rrëfim të jashtëzakonshëm për kohën, vetë Spaqi tregon:

“4 prilli, i kanë marrë 12 burra, edhe i kanë marrë me i pushkatu. Kam shku pas tyne, dhe iu kam pri, edhe ‘ose edhe mu, ose asnjë’, dhe i kam kthy në kishë. Edhe sot nuk mundem me besu se si kam mundur në atë kohë me i marrë serbit automatin prej dore e me i thanë, ti s’ki zemër me e vra kta.”

Advertisement. Scroll to continue reading.

Ai refuzoi kategorikisht të ndante njerëzit sipas fesë:

“Ndaj tha ti besimtarët tu, le të rrinë në kishë, myslimanët jepani ne, e dimë ne çka bëjmë me ta. U thashë, ‘jo kurrë e përjetë, nuk i ndaj’. Nuk ka këtu as katolikë as myslimanë, ka njerëz të pafajshëm. Bëni çka të doni, kjo është nga unë.”

Kur paramilitarët kërcënuan, ai ishte i qartë dhe guximtar:

Advertisement. Scroll to continue reading.

“Pushkatomni më së pari mu, e krejt stafin këtu, atëherë mundeni me i prek këta.”

Një akt i mbuluar nga mediat ndërkombëtare

Ngjarja e jashtëzakonshme e guximit të Dom Kelmend Spaqit nuk kaloi pa u vënë re. Media britanike “Sky News” raportoi se prifti katolik i Gllogjanit refuzoi të lejonte serbët të hynin në kishën e tij, duke mbrojtur çdo njeri që kërkonte strehë, pavarësisht fesë.

Advertisement. Scroll to continue reading.

“Në dalje të Pejës sot, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme guximi. Prifti katolik lokal u dha strehë qindra shqiptarëve myslimanë, teksa paramilitarët serbë po afroheshin. Duke i ruajtur ata brenda kishës së tij, Ati Kelmend Spaqi refuzoi t’i lejonte serbët të hynin te ta, duke thënë se të gjithë kanë një Zot. Përfundimisht, ai u desh t’i paguante paramilitarët për t’ua shpëtuar jetën atyre. ‘Jam njeri i Zotit’, na tha ai. ‘Kam mësuar ta dua armikun tim’,” raportonte media.

Një urë mes komuniteteve

Spiriti i tij nuk ndaloi vetëm tek mbrojtja në kohë lufte. Për shkak se në Gllogjan nuk kishte xhami, Dom Kelmend Spaqi bashkëpunoi me udhëheqësit e tjerë të kishës për të lajmëruar iftarin dhe syfyrin me anë të kambanave të kishës, duke treguar një shembull të rrallë të respektit dhe bashkëjetesës ndërfetare.

Advertisement. Scroll to continue reading.

Trashëgimia e tij

Dom Kelmend Spaqi mbetet një figurë e paharrueshme në kujtesën e qytetarëve të Gllogjanit dhe gjithë Kosovës. Ai u dallua jo vetëm për guximin dhe heroizmin, por edhe për humanizmin, tolerancën dhe dashurinë për të gjithë njerëzit, pavarësisht fesë apo prejardhjes.

Humbja e tij është një trishtim i madh për komunitetin katolik, për banorët e Gllogjanit dhe për gjithë ata që besojnë në vlerat e guximit, drejtësisë dhe bashkëjetesës pa dallim.

Advertisement. Scroll to continue reading.

Dom Kelmend Spaqi, një njeri i Zotit dhe një hero i vërtetë, do të mbahet mend për gjithmonë si shembull i paqes, guximit dhe humanizmit.

Exit mobile version