Vedat Muriqi pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të afatit kalimtar të verës, ndërsa mediat turke raportojnë se sulmuesi kosovar është shumë afër rikthimit te Fenerbahçe.
Sipas gazetarit Sezgin Gelmez të HT Spor, është arritur një marrëveshje mes Muriqit dhe palës së lidhur me klubin, ndërsa tashmë mbetet vetëm hapi formal, nënshkrimi i kontratës, pasi të qartësohet situata në klub.
Mediumi turk thekson se tema kryesore në Fenerbahçe aktualisht është afati kalimtar, ndërsa dy kandidatët presidencialë, Aziz Yıldırım dhe Hakan Safi, kanë intensifikuar përpjekjet për afrime të mëdha.
Muriqi e ka veshur më parë fanellën e Fenerbahçes në sezonin 2019/20, kur u paraqit në 36 ndeshje, realizoi 17 gola dhe bëri 7 asistime, duke u kthyer në një nga lojtarët më të dashur për tifozët.
