Në prag të përfundimit të afatit për dorëzim të listave me kandidatë për deputetë lëvizjet e ndryshme të partive shkaktuan jo pak zhurmë në skenën politike.
Më të zëshme ishin ato në PDK dhe LDK. PDK-ja i tha jo bashkëpunimit me Fatmir Limajn, duke refuzuar përmes kryesisë kërkesën e tij për bashkim ndonëse la të hapur mundësinë e bashkëpunimit për zgjedhje të ardhshme. Lidhur me refuzimin nga PDK-ja, RTV21 kontaktoi me zyrtarë të Nismës Socialdemokrate, por që nuk deshën të flasin për këtë çështje.
Ndërsa, anëtari i PDK-së, Rexhep Hoti, e cilësoi si të drejtë vendimin e kryesisë për të mos rikthyer Limajn, duke thënë se PDK-ja i dha një përgjigje më tepër se ç’duhej Limajt.
“Jo vetëm të drejtë por s’është dashur të mblidhet kryesia fare për atë çështje, është teprim nuk e ka merituar Fatmiri, ai ka merituar një përgjigje korrekte përmes sekretarisë se nuk je i nevojshëm për PDK-në përderisa ti nuk kërkon falje në angazhimin tënd në politikat pro-ruse për rrëzimin e Hashim Thaçit”, tha Hoti për rtv21
Ndaj vendimit të kryesisë së PDK-së për refuzimin e Limajt reagoi kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, sipas të cilit, Limaj do të ishte element pozitiv në listën e PDK-së.
Ndër kuadër të këtyre zhvillimeve, bashkimi i Osmanit LDK-së ngjalli pakënaqësi të figurave të kësaj partie. Agim Veliu i tha jo përfshirjes së tij në listë zgjedhore, duke kritikuar ashpër udhëheqësinë e partisë për bashkëpunimin me Osmanin. Përfshirjen e Veliut e kishte propozuar kryesia e LDK-së në Podujevë dhe u mirëprit nga vetë kryetari Abdixhiku, por, sipas Veliut, propozimi i ishte bërë pa dijeninë e tij. Anëtari i LDK-së, Ermal Sadiku mohoi se brenda LDK-së ka përçarje. Thotë se partia u tregua shumë bujare në ofertat e saj për këto zgjedhje për përfshirë edhe Veliun.
“Mendoj që LDK me z Veliun u tregua e hapur dhe e sinqert dhe i bëri ftesë edhe kryetari mendoj se në këtë mënonte te fundit ldk është tregu me profesionale më me bujare në këtë aspekt me rendësi është që ka tregu se dera ka qenë e hapur [ër të gjithë sa ai përket përçarjeve uën s’kom pa aty përçarje megjithatë mendime të ndryshme ka brenda LDK-së çdo herë ka pasur dhe qajo e bën LDK parti demokratike dhe normale është shumë më bukur”, tha Sadiku.
LDK-ja së fundmi nënshkroi marrëveshje e parazgjedhore me Partinë e Drejtësisë dhe Ballin Kombëtar, derisa nga kandidimi për deputete hoqi dorë, Sibel Halimi.
Kreshnik Çollaku e Lulzim Zeneli, ndërkaq, iu bashkuan Vjosa Osmanit. Në PDK aderuan kolonel Skënder Hoxha e Miftar Kurti. Në Listën e AAK-së u rikthye ish-diplomati, Avri Arifi, derisa nga gara u tërhoq Pal Lekaj, teksa në VV aderoi Krenare Çerkini./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?
